Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar njoftoi të Enjten në mbrëmje se ka miratuar marrëveshjen paraprake me Greqinë për një financim deri në 1,6 miliardë euro.

Programi do të hyjë në fuqi, vetëm pasi Fondi të ketë marrë garanci të veçanta dhe të besueshme nga partnerët evropianë të Greqisë, që të sigurojë qëndrueshmërinë e borxhit dhe me kushtin se Greqia zbaton programin ekonomik.

Vlerësimi i parë i programit do të bëhet në Shkurt të vitit 2018.

Fondi Monetar Ndërkombëtar insiston në Raportin e Qëndrueshmërisë së Borxhit Publik se borxhi i Greqisë mbetet i paqëndrueshëm dhe i bën thirrje partnerëve evropianë, që të vazhdojnë me rregullimet shtesë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde shprehu kënaqësinë e saj pas takimit, duke theksuar se programi i ri i përshtatjes ekonomike të Greqisë, mbështet përpjekjet e autoriteteve greke, që të kthehen në financimin nga tregjet financiare në një bazë të qëndrueshme.