Fakte të reja mbi dosjen e çështjes Novartis dërgoi prokurorja për çështjet e korrupsionit, Eléni Touloupáki në Komisionin Hetimor të Parlamentit, që shqyrton këtë çështje.

Komisioni njoftohet se ka marrë dy letra të kompanisë Novartis për ish kryeministrin Antóni Samará, lidhur me çështjet e shpenzimeve farmaceutike dhe një shënim të shkruar me dorë, që mban vulën e zyrës së tij me të dhënat e ministrit të atëhershëm të Financave, Christos Staikouras.

Këto letra nga Demokracia e Re nuk konsiderohen të rëndësishme.

Deputetë të Demokracisë së Re, anëtarë të komisionit të posaçëm, komentuan se këto letra u dërguan një ditë përpara Forumit Ekonomik në Davos, me qëllim që të zhvillohet një takim i drejtuesve të kompanisë me kryeministrin Andoni Samara, por ai nuk shkoi në Davos.

Në të njëjtën kohë, filloi në komisionin hetimor dhe dëgjimi i fjalës së deputetit të PASOK-ut, Evangelos Venizelos, i cili është një prej dhjetë të dyshuarve në skandalin Novartis.

Z.Venizélos megjithëse ka shprehur kundërshtimin e tij për disa çështje të caktuara ligjore, theksoi në fjalën e tij, se për arsye të ndershmërisë institucionale dhe politike, hetimi duhet të kryhet nga ky Komision, përndryshe kurrë nuk do të hetohet asgjë.