Fillon sot cikli i fundit i negociatave me përfaqësuesit e kreditorëve, me qëllim që të mbyllet vlerësimi i katërt dhe të arrihet një marrëveshje në nivelin teknik, deri në mbledhjen e Eurogroupit më 24 Maj.

Më 16 Maj pritet të fillojnë takimet e ministrit të Financave, Efkleídi Tsakalóto me krerët e institucioneve, të cilët do të shqyrtojnë dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes.

Të dy palët duhet të bien dakord për zbatimin e 88 parakushteve dhe tashmë – sipas informacioneve – kanë arritur në procesin e hartimit të një projekti të marrëveshjes në nivelin teknik.

«Problem i pazgjidhur» mbeten reforma e administratës publike, liberalizimi i mëtejshëm në tregjet e produkteve dhe shërbimeve dhe rishikimi i taksës mbi pronën private (ENFIA).

Në deklaratat e tij, ministri i Politikës Dixhitale, Níkos Pappas la të hapur mundësinë e rinegociimit të reduktimit të pensioneve nga viti 2019 dhe të shumës së tatimit për të ardhurat, duke vënë në dukje se pas përfundimit të programit dhe në bazë të ecurisë së ekonomisë, çdo diskutim është i mundshëm.