Zëvendës zëdhënësi i Shtypit të FMN-së William Murray, në konferecën për shtyp në Uashington, konfirmoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk sheh ndonjë rrezik të devijimit nga objektivat buxhetore të përcaktuara në programin grek dhe prandaj nuk kërkon marrjen e masave shtesë.

Ai përsëriti se gjatë diskutimeve që u zhvilluan midis krerëve të institucioneve dhe qeverisë greke u shënua një progres i rëndësishëm dhe zbuloi se përfaqësuesit e institucioneve do të kthehen në Athinë në fund të muajit Nëntor,për përfundimin e vlerësimit të programit grek.

Gjithashtu, z. Murray theksoi edhe një herë, se FMN-ja mbetet plotësisht e angazhuar për programin grek, por vuri në dukje se për vazhdimin edhe në financimin e tij, kërkohet një lehtësim i rëndësishëm i borxhit publik.

Zëvendës zëdhënësi i Shtypit, William Murray tha se FMN-ja nuk përfshihet në këtë pjesë, pasi negociatat për lehtësimin e Borxhit Publik zhvillohen midis huadhënësve evropianë dhe qeverisë greke.