Hetimi i Prokurorisë për çështjen Novartis filloi në Dhjetor të vitit 2016, duke pasur si material fillestar të dhënat për rushfete të zyrtarëve shtetërorë dhe mjekëve.

Këto të dhëna ishin mbledhur nga autoritetet amerikane, pas një hetimi dy-vjeçar për kompaninë e madhe farmaceutike si dhe për metodat që përdorte ajo për të mbizotëruar në treg.

Në vjeshtën e vitit të kaluar, një ekip prokurorësh grekë shkoi në SHBA, ku në bashkëpunim me autoritetet kompetente mblodhi të dhëna konkrete, për pjesën që i takonte Greqisë në lidhje me këtë skandal, pasi kompania farmaceutike dyshohet se përdorte metodat e denoncuar në shumë vende.

Sipas të gjitha të dhënave që janë bërë të njohura, rezultoi se me urdhër të drejtuesve të kompanisë përdoreshin metoda që rrisnin në mënyrë artificiale koston e barnave të cilat rimbursoheshin dhe Greqia të kishte dyfishin e shpenzimeve të Bashkimit Europian për barnat e rimbursueshme.

Dy shtetas grekë, drejtues të kompanisë i dorëzuan autoriteteve të SHBA-së qindra dokumente, që zbulojnë pagesa të parave si për mjekë privatë dhe për mjekë që punonin në sistemin e Shëndetit publik, (gjithsej më shumë se 4.000), me qëllim marrjen e vendimeve të favorshme për kompaninë dhe për çmimet e barnave të rimbursueshme nga shteti.