Komisioni Evropian do të japë për vendin tonë mbi 200 milion euro si një ndihmë për refugjatët, që ata të marrin shtëpi me qira dhe të përmirësojnë kushtet e tyre të jetesës.

Programi, që do të zbatohet përmes organizatave bashkëpunuese humanitare është njoftuar të Enjten në Athinë nga Komisioneri i BE-së për Emigracionin, Dimítris Avramópulos dhe Komisioneri i BE-së për Ndihmën Humanitare, Hrístos Stylianídis.

Rreth 62.000 refugjatë dhe emigrantë, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, jetojnë në kushte të këqija në qendra të ndryshme të pritjes së tyre, jo vetëm në ishujt, por dhe në zona të tjera të vendit nga muaji Mars i vitit 2016, kur vendet e Ballkanit mbyllën kufijtë e tyre, duke ndaluar fluksin e emigracionit drejt Evropës veriore.

Ky program do të ofrojë 22.000 apartamente në qytete të ndryshme të Greqisë kontinentale dhe rreth 2.000 shtëpi në ishujt. Programi ka për qëllim, të rrisë numrin e refugjatëve që jetojnë në apartamente me qira në Greqi në rreth 30.000 deri në fund të vitit 2017.