Ministri portugez i Financave, social demokrati Mário Centeno u zgjodh president i ri i Eurogroupit për 2,5 vitet e ardhshme, pas një votimi që përfundoi në tre raunde.

Z.Centeno do të zëvendësojë presidentin në largim, Jeroen Dijsselbloem dhe do të fillojë detyrën e tij në 13 Janar të vitit 2018.

Në një konferencë shtypi pas përfundimit të votimit, ai tha se është një nderim i madh zgjedhja e tij në postin e presidentit të Eurogroupit.

Gjithashtu, theksoi nevojën e sigurimit të stabilitetit financiar të Eurozonës në të ardhshmen, të kushtohet më shumë vëmendje në konvergjencën e ekonomive të Eurozonës dhe të ndërtohet një Eurozonë më e qëndrueshme.

Komisioneri Evropian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici pasi uroi presidentin e ri, tha se në detyrat e tij përfshihen ndër të tjera, thellimi i Bashkimit Ekonomik dhe Monetar, por dhe përfundimi i programit grek.

Nga ana e tij, kreu i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, Klaus Regling theksoi se «success story» i Portugalisë e cila doli nga memorandumi, i dedikohet në një shkallë të lartë atij dhe ra dakord me komisionerin evropian se një nga detyrat më të rëndësishme të tij do të jetë përfundimi i programit grek.