Kryeministri Aleksis Tsipras dhe homologu i tij i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë Zoran Zaev siç njoftuan dje me mesazhet e tyre drejtuar popujve të të dy vendeve, arritën në një marrëveshje për emrin, i cili do të jetë «Republika e Maqedonisë Veriore».

Z.Tsipras në mesazhin e tij konfirmoi, se me marrëveshjen arrihet një ndarje e qartë ndërmjet Maqedonisë Greke dhe fqinjëve tanë veriorë, të cilët nuk kanë dhe nuk mund të pretendojnë asnjë lidhje me kulturën e lashtë greke të Maqedonisë dhe i jepet fund përfundimisht irredentizmit që përmban emri i tyre aktual kushtetues.

Lidhur me çështjen e kombësisë tha se në dokumentet e fqinjëve do të shënohet «qytetar i Maqedonisë Veriore» dhe bëri të qartë se gjuha ndahet plotësisht nga trashëgimia gjuhësore greko-maqedonase.

Kreu i qeverisë greke theksoi se zhduken referencat kushtetuese të vendit fqinj për një pakicë maqedonase jashtë kufijve dhe tha se Greqia do të ratifikojë marrëveshjen pas përfundimit të suksesshëm të revizionimit të kushtetutës së vendit fqinj.

Kryeministri foli për një fitore të madhe diplomatike dhe shans historik, duke nënvizuar se atdheu ynë konsolidohet si një forcë udhëheqëse në Ballkan dhe si një faktor i vërtetë i stabilitetit në një rajon të plagosur thellë.