I paqëndrueshëm do të jetë moti sot në pjesën më të madhe të vendit. Më konkretisht, sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, sot e Mërkurë – 25 Korrik 2018 – parashikohen shira dhe stuhi sporadike në rajonet kontinentale dhe në zonat malore të Kretës, kryesisht në mesditë e deri në mbrëmje vonë. Dukshmëria në rajonet perëndimore do të jetë e kufizuar në mëngjes.

Era do të fryjë në ishujt e Egjeut verior e në Dodekanez në drejtimin verior e veriperëndimor, ndërsa valëzimi do të jetë nga 3 deri në 5 ballë.

Era në ishujt e detit Jon, në Epir, në Greqinë qendrore e në Peloponezin perëndimor do të fryjë në drejtimin perëndimor e veriperëndimor, ndërsa valëzimi do të jetë nga 3 deri në 5 ballë dhe në detin Jon lokalisht deri në 6 ballë.

Në Athinë, temperatura do të variojë nga 24°C deri në 32°C dhe në zonat e saj bregdetare do të jetë nga 3°C deri në 4°C më e ulët, ndërsa në Selanik nga 23C deri në 29°C.