Sot në komisionet parlamentare fillon diskutimi i projektligjit me parakushtet për mbylljen e vlerësimit të fundit të programit grek, i cili pritet të votohet më 14 Qershor.

Ndër të tjera, ky projejktligj parashikon suficite primare mbi 3,5%, një reduktim të ndjeshëm të taksave për bizneset që punësojnë punëtorë me orar të plotë, ndërsa çdo biznes i ri në vitin e parë të funksionimit të tij lirohet nga Taksa mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Ministrja e Punës, Efi Achtsióglou në një deklaratë për Agjencinë e Lajmeve të Athinës dhe Maqedonisë, tha se pas Gushtit të vitit 2018 dhe përfundimit të programit do të shqyrtojmë mundësitë për masa që do të mbështesin shumicën e shoqërisë, duke vënë në dukje, se negociatat për Kontratat Kolektive të punës dhe rritjen e pagës minimale janë parakushte të domosdoshme që punonjësit të rifitojnë një pjesë të të ardhurave, që humbën gjatë viteve të krizës.

Nga ana tjetër, opozita denoncon se populli do të paguajë përsëri për një memorandum të ri.