Në Parlamentin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë paraqitet sot projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, që u nënshkrua më 17 Qershor, në fshatin Psarádes të Prespës.

Analistët politikë dhe mediat në Shkup vlerësojnë se projektligji do të ratifikohet lehtësisht, për faktin se nevoitet një shumicë e thjeshtë nga Parlamenti.

Pas miratimit të marrëveshjes, projektligji duhet t’i dërgohet Presidentit të vendit fqinj, Gjorge Ivanov për nënshkrimin e saj. Nëse z.Ivanov vendos veto siç ka thënë, marrëveshja kthehet në Parlament, por në këtë rast do të duhet të miratohet me një shumicë absolute dhe duhet të votojnë në favor të saj 61 deputetë.

Pasi ky kusht të jetë arritur, marrëveshja përsëri i dërgohet Presidentit, i cili sipas Kushtetutës është i detyruar të nënshkruajë atë.

Në një deklaratë të tij, ministri i Jashtëm grek Níkos Kotziás, thotë se pas ratifikimit të marrëveshjes nga Parlamenti i Shkupit, pritet zhvillimi i një referendumi dhe ndryshimi i Kushtetutës, duke vënë në dukje se pas të gjitha këtyre procedurave «do të ratifikojmë marrëveshjen edhe ne».