8 Marsi njihet si «Dita Ndërkombëtare e Gruas» në të gjithë Botën.

Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por dhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim për shumë dekada. Kjo ditë u dedikohet mbi të gjitha grave të thjeshta, të cilat në saj të vlerave të tyre ndryshuan historinë botërore; kjo ditë u kushtohet grave të cilat për shekuj luftuan për barazinë e gruas në shoqëri.

Fillimisht më 8 Mars të vitit 1875, në ndërmarrjen e tekstilit në Nju-Jork, gratë u ngritën në protesta kundër kushteve çnjerëzore të punës, orarit të gjatë të punës dhe pagave të ulëta.

Dita e parë ndërkombëtare e Grave u festua në vitin 1909 me iniciativën e Partisë Socialiste të SHBA-së, ndërsa në vitin 1977 u caktua nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare për të drejtat e grave.

Edhe Parlamenti grek do të nderojë Ditën Ndërkombëtare të Gruas me evenimente të shumta.

Në Selanik do të përurohet sot ekspozita e Fondacionit të parlamentit për Parlamentarizmin dhe Demokracinë me temë: «Feminizmi në vitet pas rrëzimit të juntës, 1974 -1990» e cila është paraqitur në Athinë me sukses të madh dhe tani transferohet në Selanik.

Ekspozita, që organizohet në bashkëpunim me Universitetin Aristoteli të Selanikut dhe Pallatin e Muzikës së Selanikut, do të përurohet në orën 18:30 pasdite nga Sekretarja e Përgjithshme e Fondacionit të parlamentit, znj.Níki Maroníti.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 30 Qershor të vitit 2018.

Në kuadrin e ekspozitës do të organizohen dhe një sërë aktivitete të ndryshme paralele, një program arsimor për feminizmin, vizita të ndryshme, aktivitete muzikore dhe artistike e të tjera.

Shoqata e Nënpunësve të Parlamentit jep prezencën e saj sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas nga ora 08:30 në mëngjes deri në orën 11:30 në mbrëmje, duke ndihmuar për mbledhjen e materialeve të higjenës personale dhe për kujdesin e nënave në moshë të vogël që jetojnë së bashku me fëmijët e mitur të tyre në burg si dhe për vajzat e mitura në burgun e grave në Elaióna të Thívas.