Ambasadori amerikan i SHBA-së në Athinë, Geoffrey Pyatt në deklaratat për shtyp, pas fjalimit të tij në Greek Investment RoadShow 2018 në Nju Jork, përsëriti angazhimin e fortë të qeverisë amerikane në rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë.

Gjithashtu, z.Pyatt tha se shumë varen nga vendimet e qeverisë greke dhe nga «demonstrimi i vazhdueshëm i angazhimit të saj ndaj reformave».

Ambasadori amerikan u referua në zgjerimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Greqinë, veçanërisht pas vizitës së kryeministrit, Aleksis Tsipras në Shtëpinë e Bardhë.

Z.Pyatt tha gjithashtu, se sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross do të kryesojë delegacionin amerikan në Panairin e ardhshëm Ndërkombëtar të Selanikut, në të cilin SHBA-ja do të jetë vendi i nderuar dhe nënvizoi rëndësinë e këtij momenti «jashtëzakonisht premtues» për marrëdhëniet greko-amerikane.