Një tragjedi kombëtare përjeton vendi ynë nga shkatërrimi biblik që pësoi Attika, nga zjarret që shpërthyen dje në mesditë, fillimisht në Geráneia Ori dhe Kinéta dhe më vonë në Daoú Pentélis, Néo Voutzá, Máti dhe Rafína.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Kryqit të Kuq Grek, Níko Oikonomópoulo dhe shpëtimtarit Vasíli Andriópoulo, 26 trupa u gjetën të djegur në një parcelë në Máti, duke e rritur në 50 numrin e viktimave deri tani.

Nga zjarri i madh në Attikë, e cila është shpallur në gjendje të jashtëzakonshme, të paktën 50 persona deri tani kanë humbur jetën e tyre, 156 janë plagosur dhe 11 të tjerë janë në gjëndje kritike në spital.

Dhjetëra shtëpi dhe makina janë djegur në Daoú Pentéli, Néo Voutzá, Máti dhe Rafína, ku njerëzit janë bllokuar në bregdet, ndërkohë që u evakuuan kampet e fëmijëve në këtë zonë dhe të dy vendpushimet verore të ushtrisë dhe aviacionit.

Deri më tani, anije të Marinës Luftarake, Rojet bregdetare dhe anije të tjera kanë ndihmuar 761 qytetarë nga bregdeti, ku ata shkuan për të shpëtuar nga zjarri, që shpërtheu në pjesën lindore të Attikës.

Zëvendës ministri i Marinës Tregtare Nektários Santoriniós, duke folur në televizionin publik ERT, tha se janë shpëtuar rreth 710 njerëz dhe 5 deri në 6 të tjerë janë të humbur sipas të afërmve të tyre, të cilët nuk kishin mundur të komunikojnë deri më tani.

Ministria e Marinës Tregtare iu bën thirrje qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë nga Policia Portuale, të kontaktojnë në numrin e urgjencës «108», por dhe në numrin «199» të Shërbimit Zajrrfikës.

Në Kinéta, dhjetëra shtëpi janë djegur në katër vendbanimet Agíou Nikoláou, Panorámatos 1 dhe 2, dhe Galínis, të cilët janë evakuuar. Rregullisht kryhet qarkullimi i automjeteve në autostradën e re dhe të vjetër Athinë – Korinth, itineraret e trageteve, fluturimet e avionëve, ndërkohë që nuk do të kryhen itinerarët e trenit proastiako të linjës Athínë- Kiáto dhe anasjelltas, për shkak të problemeve me energjinë elektrike.

Në këtë moment pamja paraqitet më e mirë në të gjitha frontet e zjarrit, ndërkohë që vazhdojnë zjarret në Kinéta, Attikën Lindore, Kálamo dhe Chaniá.

Për një «kërcënim asimetrik» dhe një natë të vështirë për Athinën dhe Greqinë foli në agim kryeministri Aleksis Tsipras, i cili u kthye urgjentisht nga Bosnjë-Hercegovina dhe shkoi menjëherë në qendrën e operacioneve të Shërbimit Zjarrfikës.

Gjithashtu theksoi se të gjithë janë në gatishmëri për të shpëtuar njerëzit.

Presidenti i Republikës së Qipros Nikos Anastasiadhis shprehu përkrahjen e tij për këtë tragjedi të Greqisë dhe vuri në dispozicion të vendit tonë mjete zjarrfikëse dhe 60 njerëz që priten të vijnë brenda ditës për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

Vendi ynë aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile, duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare për përballimin e zjarreve dhe pritet të vijnë për ndihmë forca zjarrfikëse nga SHBA-ja, Spanja, Qipro dhe Izraeli.

Të gjithë vullnetarët e e Demokracisë së Re janë gati në çdo moment për të ndihmuar në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, tha dje kryetari i saj, Kyriákos Mitsotákis.

Kryetarja e Lëvizjes së Ndryshimit, Fófi Gennimatá shprehu mbështetjen e saj për të gjithë punonjësit e shërbimeve, që bëjnë përpjekje të mëdha për shuarjen e zjarrit.

Partia Komuniste Greke kërkoi të merren masa të menjëhershme për përballimin e zjarreve.

Kryepeshkopi i Athinës, Ierónymos foli për një tragjedi të madhe dhe vuri «Apostolí – Misionin» në dispozicion të shtetit dhe të Pushtetit Lokal.