Vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e personave të humbur dhe në përfundim është procesi i identifikimit të të vdekurve.

Në 83 arriti numri i viktimave, 46 të plagosur, 11 prej tyre janë në gjendje kritike, 4 fëmijë vazhdojnë të kurohen në Spitalet e Fëmijëve, ndërkohë që i panjohur mbetet numri i personave të humbur.

Shërbimi Zjarrfikës u bën thirrje të afërmve të viktimave, të shkojnë sot deri në orën 20:00 në mbrëmje në Shërbimin Mjeko-ligjor të Universitetit të Athinës në adresën: Rruga Mikrás Asías në Goudí, për një test të ADN-së, që është e vetmja mënyrë për procesin e identifikimit.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Chrístos Spírtzis dha urdhër të kontrollohen të gjitha lejet e ndërtimit të banesave që ndodhen në distancën 100 metra nga bregdeti.

Deri tani janë karakterizuar të pabanueshme 1.218 shtëpi, sipas kontrolleve që kanë bërë inxhinierët e Ministrisë së Infrastrukturës.

Koorporata Elektroenergjitike e Greqisë (DEH) njoftoi se deri në fund të javës do të jenë rregulluar dëmet në rrjetin elektrik në zonat që u prekën nga zjarret.

Mallëngjyese është shprehja e solidaritetit brenda dhe jashtë vendit. Karakteristik është numri i madh i vullnetarëve, që ndihmojnë në Bashkitë e Rafínas dhe Marathónas.

Në të njëjtën kohë, qytetarë nga çdo cep i Greqisë, vazhdojnë të ofrojnë ushqime, materiale të nevojshme, por dhe para. Nga sot do të jenë të hapura dhe tre shkolla publike në zonat e prekura nga zjarri, për të mbështetur fëmijët.