Në vitin 1994 si sot vdiq Melína Merkúri (María Amalía Merkúri), aktore dhe politikane e shquar greke.

Ishte nga një familje e njohur politikanësh, një aktore e nderuar me disa çmime ndërkombëtare dhe me një personalitet të gjerë në botë.

Melína Merkúri lindi më 18 Tetor të vitit 1920 dhe ishte mbesa e kryetarit historik të Bashkisë së Athinës, Spýro Merkoúri. Ajo studioi në Shkollën e dramës të Teatrit Kombëtar dhe doli për herë të parë në skenë në vitin 1944. Në vitin 1949 Melina interpretoi rolin e Blanche në «A Streetcar Named Desire» të Tennessee Williams, ndërsa roli i parë i saj në kinematografi ishte Stélla, në filmin me të njëjtin emër të regjisorit, Micháli Kakogiánni (1955).

Në vitin 1960, Melína Merkoúri do të jetë aktorja protagoniste në filmin «Kurrë të Dielën – Poté tin Kyriakí» e regjisorit Jules Dassin, me të cilin fitoi një famë ndërkombëtare. Pesë vjet më vonë, ajo martohet me regjisorin e njohur dhe do të interpretojë në tre filma të tjerë të tij (Faídra, Top Kapí dhe A dream of passion). Gjatë diktaturës në Greqi, Melína Merkoúri zhvillon një fushatë të madhe anti-diktatoriale në Evropë.

Më pas ajo kthehet në Greqi dhe merr pjesë në jetën politike të vendit me partinë e PASOK-ut. Ishte ministre e Kulturës nga viti 1981 e deri në vitin 1989 dhe në periudhën 1993-1994 në të gjitha qeveritë e PASOK-ut. Jo më kot udhëheqësi karizmatik Andréas Papandréu kishte thënë se ajo «rezistoi» në të 16 ndryshimet e qeverisë së tij.

Vizioni i saj i madh ishte kthimi i skulpturave të Partenonit në Greqi. Për fat të keq, ëndrra e Melínas mbetet e paplotësuar deri më sot. Aktorja e madhe greke u nda nga jeta më 6 Mars të vitit 1994. 6 Marsi është një ditë mbarëkombëtare e vendosur nga ministria e Arsimit kundër dhunës dhe bullying në shkolla.

Në kujtim të së paharuarës Melina Mërkuri sot në të gjitha muzetë dhe vendet arkeologjike hyrja do të jetë pa biletë. Në këtë aktivitet merr pjesë dhe Muzeu i Akropolit.