Të gjitha partitë dhe të gjithë deputetët do të marrin përgjegjësinë e tyre historike për një marrëveshje historike, është mesazhi që dërgoi kryeministri Aléksis Tsípras në prag të ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti Grek.

Kreu i qeverisë në intervistën që dha dje në televizionin OPEN tha se do të kërkojë votë besimi nga parlamenti, në rast se partneri i tij qeveritar Pános Kamménos nuk do të mbështesë më qeverinë.

Ndërkohë, z.Tsipras shprehu bindjen e tij, se kryetari i partisë Grekët e Pavarur (ANEL) nuk do të rrëzojë qeverinë dhe sqaroi se do të kërkojë një votëbesimi nga parlamenti në rast të kundërt.

Gjithashtu, kryeministri zbuloi se do të sjellë Marrëveshjen e Prespës për ratifikim në parlament, deri në fund të javës tjetër.

Për çështjen e emrit të vendit fqinj tha se ishte një problem i pazgjidhur për 27 vjet, për shkak të mosveprimit të qeverive të mëparshme, që në të njëjtën kohë ishte dhe një pengesë për rolin e Greqisë në rajon.

Kreu i qeverisë akuzoi kryetarin e Demokracisë së Re, se synon të fitojë vota, duke përdorur mënyrën populiste për Marrëveshjen e Prespës.

Gjithashtu, kryeministri Aleksis Tsipras theksoi se nuk i sheh gjërat përmes përfitimeve të përkohshme dhe sondazheve të opinionit, por nga pikëpamja e interesit kombëtar dhe patriotik si dhe përfitimeve të mëdha që do të ketë vendi.