Plazhet e pacënuar me ujërat kristal, fshatrat piktoreske dhe manastiri mbresëlënës i Hozoviotissas që duket si një pikturë në shkëmb, e bëjnë ishullin e Amorgos, një nga ishujt më të bukur cikladik.

Amorgos është një ishull i gjatë dhe i ngushtë, ishulli më lindor i Ciklades, në juglindje të ishullit të Naksos, me topografi të pjerrët malore. Ka dy porte natyrore, Katápola dhe Egiali në brigjet veriore të tij dhe ka një popullsi prej 1.860 banorë. Filmi i vitit 1988 «The Big Blue» nga regjisori francez Luc Besson, është xhiruar në Amorgos dhe e bëri ishullin grek cikladik dhe bukuritë e tij, të njohur në mbarë botën.

Hora përrallore: Hora e Amorgos, qendra e ishullit, është nga ato që nuk kanë det, sepse është i vendosur në brendësi të ishullit, në majën e një shkëmbi në një lartësi prej 350 metrash, përreth Kalasë veneciane dhe me pamje një seri me mullinjtë e erës të vendosura në kodrën fqinje. Dhe pa det, është padyshim një nga vendet më të bukura të Ciklades, me dhjetra kisha, me shtëpi karakteristike cikladike të lyera me gëlqere, shtëpi dy katëshe të vjetra arkondike, harqe me zbukurime dhe shkallë prej guri, vazo me borzilok që përbëjnë dekorin natyror të ishullit.

Hora ka gjithashtu Muzeun Arkeologjik dhe një ujësjellës të rëndësishëm të epokës romake, dyqane suveniresh, kafene dhe restorante me shumë gusto dhe ushqime të shijshme lokale. Manastiri «i varur» dhe Agia Anna (Shën Anna) pak më larg nga Hora në pjesën veriore, gjendet manastiri i mahnitshëm i Hozoviotissas, “i varur” në një shkëmb 300 metra mbi ujërat mahnitëse bruz të plazhit të vogël Agia Anna, në pikën ku u xhirua filmi «The Big Blue». Për të vizituar manastirin – që daton nga shekulli i 11-të – duhet të ngjiteni në rrugën që të çon në Manastir, nëpërmjet shkallëve. Por, kur të arrini atje, pamja dhe bukuria do të dominojnë aq shumë, sa që ju do të uroni që të bëheshit murgj! Murgjit e manastirit, mirëpresin vizitorët me një gotë raki të Amorgos, llokume dhe ujë të ftohtë.

Nëse ju pëlqen ecja në këmbë, mund të ndiqni rrugën alpine nga Hozoviotissa deri në Egiali dhe shihni shpellat e vjetra të Heremitëve dhe faltoret unike, por dhe plazhin e shkretuar në brigjet verilindore të ishullit.

Amorgos dhe Katápola: dy portet dhe fshatrat përreth

Porti i Horas, në bregun perëndimor të ishullit, është Katápola, porti më i mirë natyror në Ciklades, i rrethuar nga vendbanimet Katápola, Ksilokeratidi dhe Rahidi. Arkitektura tipike cikladike e vendbanimeve, ujërat kristal të gjirit dhe lugina me pemishte dhe ullinj, magjepsin vizitorin. Pesëmbëdhjetë kilometra në veri të vendit, gjendet porti Egialis, porti i dytë i ishullit dhe i tre fshatrave që dikur përbënin Egialin e lashtë (Tholaria, Langada dhe Potamos). Të tre fshatrat piktoresk ofrojnë një pamje të mrekullueshme, ndërsa në Tholaria me arkitekturën e tij tradicionale, mund të admironi një muzg spektakolar.

Në Egiali, shëtitjet pranë bregdetit me pamje perëndimin e detit janë «must» si edhe koktejet në mbrëmje në plazhin e tij. Nga Langada ose Tholaria hapen shtigje interesante për ecje në këmbë.

Plazhet e pafund në ngjyrën blu: Duke filluar nga porti kryesor, Katápola, përveç plazhit me të njëjtin emër, mund të notoni në Akrotirin e Poshtëm, në Maltezi (mund të shkosh nëpërmjet një shtegu ose me varkë), në Plakes (me varkë nga Katápola), në Agio Pantelejmona, por dhe jashtë gjirit, në Finikes dhe në Agios Saranda. Në anën e kundërt, në lindje gjendet plazhi i Agias Annas (poshtë manastirit) dhe më në jug Ammudi dhe plazhi mahnitës me guralecë Muru. Në vendet e Arkesinit vlen të notoni në ujërat e plazhit Paradisas dhe Kalotaritissas, ndërsa në rrugën përpara të fundit, ju do të shihni vendin që u përplas shumë vite më parë anija e mallrave «Olimpia», ku tani qëndron skeleti i ndryshkur i saj.

Në pjesën jugperëndimore të ishullit, mund të shkoni me varkë në ishullin e vogël Gramvussa, me një plazh të mrekullueshëm me rërë, ku mund të arrini me varkë nga Kalotaritissa. Duke shkuar për në veri të ishullit do të gjeni plazhin e mbrojtur të Shën Palit, ndërsa në një distancë prej 300 metra, pikërisht përballë Shën Palit, mund të notoni në një nga dy plazhet e Nikurias, duke arritur aty me varkë. Në Egiali, përveç plazhit kryesor me rërën e imët, do të zbuloni dhe plazhe të tjera më të vogla si Fokiotripa, Levroso (plazhi i nudistëve) dhe Hohlaka. Më në veri të Egialis ka plazhe të egra e të pacënuar, ku qasja bëhet me shumë vështirësi, duke ecur në këmbë ose me varkë, siç është Vlihada e Vogël dhe Vlihada e Madhe, ku mund të arrij dikush nga fshati Tholaria dhe Halara, poshtë rrugës që lidh Hozoviotissan me Egialin, rreth një orë ecje në këmbë nga fshati Potamos.

Kuzhina e Amorgos: Përveç gjellëve klasike të kuzhinës mesdhetare, Amorgos është i njohur për gjellën (horiatiko) që është mish viçi i pjekur në furrë me perime dhe djathë kaçkavall, për djathin e tij, për gjellën (eksohiko) që është mish qengji ose keci i pjekur në furrë me zarzavate, domate dhe makarona dhe për gjellën (kalogiro) që është patëllxhan me mish viçi, djathë kaçkavall dhe domate në furrë. Gjithashtu ky ishull është i dëgjuar për (diples) që janë petulla në tigan, për mjaltin vendas dhe natyrisht për rakinë e tij të pjekur, e njohur dhe e dashur për të gjithë.

Si do të shkoni në këtë ishull: Me anije nga Pireu për në Katápola ose Egiali. Amorgos lidhet me ishujt e tjerë të Ciklades, të tilla si Paros, Naksos, Io, Santorini, Tinos, Mykonos, Andros, Siros dhe Dodekanezin.