Reagimin ndërkombëtar kanë shkaktuar veprimet e reja provokuese të Turqisë, me dërgimin përsëri të anijes Oruç Reis në shelfin kontinental grek dhe hapjen e bregdetit të Varosias në territorin e okupuar të Qipros.

Me një gjuhë të ashpër për Ankaranë folën njëkohësisht SHBA-ja dhe Gjermania për daljen e anijes kërkimore në shelfin kontinental grek dhe hapjen e bregdetit të Varosias në territorin e okupuar të Qipros.

Paralajmërim i rreptë nga Kryeministri.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis duke pritur ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas theksoi: «Nuk do të përparojmë në bisedime nën këto rrethana. në Samitin e Lartë të fundit i ofruam një zgjedhje shumë të qartë Turqisë, por për fat të keq duket se ajo zgjedh rrugën që çon në sanksione».

Kreu i qeverisë greke pritet të paraqesë çështjen në Samitin e Lartë, që do të zhvillohet më 15 dhe 16 Tetor.

«Ato që bën Turqia janë kundër atyre, për të cilat kemi rënë dakort», deklaroi ministri i Jashtëm Gjerman Heiko Maas. Ai madje shtoi se vendimi i tij për të mos vizituar Ankaranë, siç ishte planifikuar fillimisht, pasqyron në praktikë solidaritetin dhe mbështetjen që ka Greqia nga BE-ja dhe Gjermania.

Pak më vonë, përmes Twitter, z.Maas tha se kemi nevojë për bisedime të drejtpërdrejta, pavarësisht provokimit nga Turqia.

Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet për uljen e tensionit në Mesdheun Lindor dhe vazhdojnë të kërkojnë dialog dhe respektimin e së Drejtës Ndërkombëtare. Madje, i bënë thirrje Ankarasë të ndalojë «provokimin e planifikuar» dhe të fillojë kontakte të menjëhershme me Greqinë.

Departamenti amerikan i Shtetit e karakterizoi vendimin e pseudo-shtetit, për të hapur bregdetin Varosia, provokues dhe anti-konstruktiv dhe kërkoi revokimin e tij.