—Në 40 arriti numri i viktimave nga tërmeti i 26 Nëntorit, pas 3 trupave të nxjerrë nga rrënojat në Thumanë rreth orës 4:00 të mëngjesit, siç transmetoi Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjithashtu, deri më tani nga operacionet e kërkim-shpëtimit janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat 45 persona, ndërsa janë plagosur mbi 650 të tjerë si dhe janë shkatërruar plotësisht shumë ndërtesa në Durrës e Thumanë, që kanë qenë dhe dy zonat më të prekura nga tërmeti i fortë 6,4 ballë i shkallës Richter.

Ekipet e kërkim- shpëtimit të EMAK (Njësitë e veçanta për përballimin e katastrofave) nxorrën dje të gjallë dy persona dhe shkuan menjëherë në ndërtesën 4- katëshe në Durrës, për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit të një nëne me tre foshnja.

Në të njëjtën kohë, ekipet e kërkim-shpëtimit nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Franca, Kroacia dhe gjithë rajoni e Evropa vijojnë pa ndërprerë aksionet nën rrënojat e Durrësit dhe Thumanës. Gjatë orëve të para të mesnatës janë ndjerë lëkundje të forta me magnitudë 4,4 dhe 4,5 ballë të shkallës Richter.

Epiqendra e lëkundjeve sizmike pas tërmetit të madh është shënuar në Detin Adriatik, 34 km nga qyteti i Tiranës dhe 17 km nga Shijaku.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Edi Rama informoi mbi situatën në zonën e Thumanës dhe theksoi se në zonën e Thumanës kemi njerëzit në çadra, sepse aty është edhe një vatër e ndezur tragjedie dhe njerëzit nuk kanë asnjë disponim që të lëvizin, sepse duan më parë të përcjellin të humburit, të vdekurit, numri i të cilëve ka arritur në 39..

Z.Rama tha se për të gjithë ata është garantuar mikpritja në strukturat hoteliere të Shëngjinit dhe menjëerë pas momenteve të lamtumirës së dhimbshme, do të jetë gati gjithë logjistika për t’i strehuar, ushqyer dhe asistuar.

Kryeministri Edi Rama uroi shqiptarët me rastin e 107 vjetorit të Pavarësisë duke u shprehur se “Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudoqofshin pa asnjë dallim”.

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se të gjithë ata që duan të ndihmojnë banorët e prekur nga tërmeti, mund të depozitojnë ndihmat e tyre përmes aplikacionit e-Albania.

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar emrat e 39 viktimave të tërmetit katastrofik, që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit.

Në listën me emrat e viktimave të tërmetit, mes tyre janë katër fëmijë të moshave 3 vjeç, 4 vjeç dhe dy 8-vjeç si dhe shumë të rinj të moshave 18 deri në 35 vjeç.