Vazhdojnë përpjekjet për parandalimin e një vale të tretë të pandemisë, duke zbatuar masa të tjera kufizuese në shumë rajone të vendit dhe duke përshpejtuar vaksinimet.

Deri më sot është vaksinuar 3% e popullsisë , por ndërkaq këtë javë pritet të hapet platforma e veçantë për grupmoshën 60-64 vjeç,që do të vaksinohet me vaksinën e Astra Zeneca, ndërsa një milion doza pritet të vijnë në Mars.Gjithashtu brenda muajit Shkurt do të funksionojnë 300 qendra të tjera vaksinimi për të arritur në total 700.

Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik, të Dielën pasdite njoftoi 733 raste të reja të infektuar nga koronavirusi (Covid-19).Në Attikë u konfirmuan 360 raste të reja, 76 në Selanik dhe 71 në Ahaia. Numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 163.946. nga të cilat 51,9% janë burra.

262 persona janë të shtruar në njësitë e terapisë intensive. Mosha mesatare e tyre është 70 vjeç. 85,9% e pacientëve kanë një sëmundje ose janë mbi 70 vjeç,ndërsa 1164 pacientë kanë dalë nga klinikat e terapisë intensive që nga fillimi i pandemisë.

Gjithashtu në 24 orët e fundit u regjistruan 21 vdekje të reja nga COVID-19, duke e çuar numrin e viktimave gjithsej në 5.972. Mosha mesatare e personave që humbën jetën nga koronavirusi ishte 79 vjeç, ndërsa 95.6% kishin një sëmundje kronike ose ishin mbi 70 vjeç.