Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Sotíris Tsiódras në informimin e përditshëm për pandeminë tha se sot janë evidentuar 3 raste të reja me covid-19 dhe numri total i personave të infektuar nga koronavirusi në Greqi shkon në 2.853.

612 nga rastet me koronavirus kanë lidhje me një udhëtim të tyre jashtë vendit, ndërsa 1.436 janë të infektuar me koronavirusin brenda vendit.

Në të njëjtën kohë u njoftuan edhe dy vdekje të tjera, ndërsa numri i viktimave që humbën jetën nga koronavirusi shkon në 168. Mosha mesatare e pacientëve që vdiqën ishte 76 vjeç dhe 96,9% prej tyre kishte një sëmundje kronike ose ishte mbi 70 vjeç.

Gjithashtu, 21 pacientë me një moshë mesatare 72 vjeç kurohen në reanimacion në gjëndje të rëndë dhe 95,2% prej tyre ka një sëmundje ose është mbi 70 vjeç, ndërsa 98 pacientë dolën nga spitali.

Në Greqi deri më sot janë kryer 144.078 teste diagnostikuese.