Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Sotíris Tsiódras në informimin e përditshëm për gjëndjen në Greqi nga koronavirusi njoftoi, se sot janë evidentuar 4 raste të reja me covid-19 dhe numri total i  personave të infektuar nga virusi shkon në 2.840.

616 nga rastet me koronavirus kanë lidhje me një udhëtim të tyre jashtë vendit, ndërsa 1.475 janë të infektuar me koronavirusin brenda vendit, ndërsa të tjerët nuk kanë lidhje as me udhëtim dhe as me një rast tjetër të njohur.

Në 24 orët e fundit nuk u regjistrua asnjë vdekje dhe si rezultat numri i viktimave që humbën jetën  nga  koronavirusi  mbetet në 165. Mosha mesatare e pacientëve që vdiqën ishte 75 vjeç dhe 94% kishte një sëmundje kronike ose ishte mbi 70 vjeç.

Ndërkohë, 22 pacientë me një moshë mesatare 73 vjeç kurohen në reanimacion në gjëndje të rëndë, nga të cilët 95,5% ka një sëmundje ose është mbi 70 vjeç, ndërsa 95 pacientë dolën nga spitali.

Në Greqi deri më sot janë kryer 136.001 teste për koronavirusin.