Rritja e numrit të rasteve me covid-19 në Attikë ka shqetësuar qeverinë dhe autoritetet shëndetësore, pasi në 24 orët e fundit në Attikë u regjistrua një numër rekord 240 persona të infektuar nga koronavirusi.

Çështja pritet të diskutohet në takimin e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis me përfaqësuesit e Komitetit për Sëmundjet Infektive.

Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik njoftoi dje 416 raste të reja me covid-19 dhe 59 u konfirmuan pas kontrolleve në pikat e hyrjes në kufijtë e vendit. Numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 18.123, nga të cilat 56,1% janë burra.

Gjithashtu, 79 pacientë janë shtruar në reanimacion për terapi intensive, ndërsa 88,6% prej tyre ka një sëmundje kronike ose është mbi 70 vjeç. 207 pacientë kanë dalë nga spitali dhe me 5 vdekjet e tjera numri total i viktimave të koronavirusit në Greqi tashmë është 388.