Ministria e Shëndetësisë në informimin e përditshëm për situatën e koronavirusit në Greqi njoftoi, se sot janë evidentuar 10 raste të reja me covid-19 dhe numri total i personave të infektuar nga virusi shkon në 2.850.

Nga këto 617 (21,6%) raste me koronavirus kanë lidhje me një udhëtim të tyre jashtë vendit, ndërsa 1.476 (51,8%) janë të infektuar me covid-19 brenda vendit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit një pacient humbi jetën nga Covid-19 dhe numri i viktimave në të gjithë vendin tashmë shkon në 166. Mosha mesatare e pacientëve që vdiqën ishte 75 vjeç dhe 94% kishte një sëmundje kronike ose ishte mbi 70 vjeç.

Gjithashtu, 22 pacientë me një moshë mesatare 73 vjeç kurohen në reanimacion në gjëndje të rëndë dhe 95,5% prej tyre ka një sëmundje ose është mbi 70 vjeç, ndërsa 96 pacientë dolën nga spitali.

Në Greqi deri më sot janë kryer 139.445 teste diagnostikuese.