Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (EODY) njoftoi dje 453 raste të reja me covid-19, nga të cilat 184 janë në Qendrën e Pritjes dhe Identifikimit në Kará Tepé të Lésvos dhe 174 në Attikë, ndërsa 27 janë të ardhur nga jashtë.

Numri total i rasteve të infektuar nga koronavirusi në Greqi tashmë arriti në 15.595, ndërsa në 24 orët e fundit u regjistruan 6 vdekje duke e çuar numrin e viktimave në 344. Gjithashtu 79 pacientë janë shtruar në spital në gjëndje të rëndë.

Ndërkohë, njëra pas tjetrës mbyllen shkollat në të gjithë vendin duke rritur ankthin e prindërve dhe mësuesve. Në Pella shtyhet ndërprerja e funksionimit të shkollave deri më 25 Shtator, ndërsa në Attikë rritet numri i rasteve me covid -19.

Në të njëjtën kohë rriten protestat e nxënësve në të gjithë vendin, të cilët kërkojnë më tepër masa mbrojtëse, të tilla si klasa me më pak nxënës dhe distanca më të madhe brenda në klasë.

Zëdhënësi i qeverisë Stélios Pétsas tha se «kemi marrë dhe do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur shëndetin publik».