Shqetësim botëror për zhvillimin e pandemisë.Gjithnjë e më shumë vende po rivendosin masa të rrepta për mbrojtjen e shëndetit. Organizata Botërore e Shëndetit do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme, ka mundësi këtë javë për të rivlerësuar situatën.

Mjekët specialistë grekë shprehin shqetësimin e tyre për përhapjen e re të koronavirusit në të gjithë vendin.

Tridhjetë e pesë raste të reja të Covid-19 u njoftuan nga Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (EODY) të hënën. Nga këto 9 kanë ardhur nga jashtë (4 në kufijtë e hyrjes në Greqi dhe 5 raste erdhën për testim vullnetarisht).

26 rastet e tjera janë konfirmuar:17 në Attikë, nga 2 në Thessaloníki, Kavála, Achaḯa dhe nga 1 në Magnisía, Halkidikí dhe Voiotía.

Numri total i personave të infektuar nga koronavirusi në Greqi tashmë ka arritur në 4.227, ndërsa numri i viktimave deri më sot është 202, pasi në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë vdekje.

Zëdhënësi i qeverisë Stélios Pétsas la të hapur mundësinë, për përdorimin e maskës dhe në ambiente të mbyllura, si në dyqanet tregtare dhe kisha. Ai përsëriti se virusi është këtu dhe qytetarët duhet të kujdesen për mbrojtjen e shëndetit të tyre.