Thellimi i bashkëpunimit strategjik Athinë-Uashington ishte në qendrën e takimit të parë që kishte ministri i ri i Jashtëm grek, Nikos Dendias me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo në Departamentin e Shtetit.

«Jam i lumtur, sepse një nga takimet e mia të para si ministër i Jashtëm i qeverisë së re greke ishte me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo. Të gjithë e dimë, se marrëdhëniet e ngushta midis Greqisë dhe SHBA-së janë shumëvjeçare, por është veçanërisht interesante, që çdo herë të thellojmë dhe zgjerojmë këto marrëdhënie. Biseduam për dialogun strategjik mes dy vendeve, për thellimin e dialogut, por dhe për përmbajtjen e çështjeve të tjera në këtë dialog», vuri në dukje kreu i diplomacisë greke.

Duke diskutuar zhvillimet aktuale gjeopolitike në rajon, z.Dendias theksoi në veçanti çështjen e qëndrimit të Turqisë ndaj të drejtave sovrane të Republikës së Qipros si dhe për të drejtat sovrane greke në rajonin më të gjerë të Egjeut dhe Mesdheut Lindor.

Departamenti amerikan i shtetit karakterizon takimin e Sekretarit amerikan Mike Pompeo me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias si një konfirmim i rëndësisë së marrëdhënieve greko-amerikane.

Kreu i diplomacisë amerikane theksoi bashkëpunimin e fortë të të dy vendeve në fushën mbrojtjes dhe sigurisë, duke venë në dukje rolin e Greqisë si një faktor i stabilitetit në Mesdheun Lindor dhe në Ballkan.

Z.Pompeo shprehu kënaqësinë e tij, për përparimin që ka bërë Greqia në realizimin e projekteve të energjisë, që forcojnë zgjerimin e ndërlidhjes rajonale.

Gjithashtu, të dy ministrat ranë dakord për të vazhduar progresin që është arritur në fushat kryesore nga Dialogu Strategjik i muajit Dhjetor të vitit 2018.