Dorëshkrimi 05 i Institutit Grek të Venecias, që u krijua në Mesjetë dhe tregon përmes një ilustrimi të pasur jetën dhe epokën e Aleksandrit të Madh që nga lindja deri në vdekjen e tij, paraqitet i dixhitalizuar për publikun me rastin e Panairit Ndërkombëtar të 84-të të Selanikut, në një ekspozitë që organizojnë Instituti Grek i Studimeve Bizantine dhe Pas-Bizantine i Venecias dhe ministritë e Punëve të Jashtme dhe Arsimit.

Ky dorëshkrim përmban 250 miniatura të zbukuruara me fletë ari dhe tekste dhe paraqet pothuajse në mënyrë kinematografike, jetën e Mbretit maqedonas. Materiali u dixhitalizua dhe paraqitet në ekspozitën me titull «Legjenda e Aleksandrit të Madh si një trashëgim bizantin. Dëshmia e një dorëshkrimi bizantin».

Sipas studiuesve dhe shkencëtarëve që morrën pjesë në studimin e dorëshkrimit, në thelb është një tregim për jetën e Aleksandrit të Madh, ndërsa përshkruan në detaje ngjarjet para dhe gjatë fushatës së tij.

Ky tregim konkret u bë një nga romanet me përhapjen më të madhe në Mesjetë, u përkthye në 30 gjuhë të huaja, duke tejkaluar kufijtë e fesë dhe kulturave dhe u përhap gjerësisht në të gjithë botën, duke u bërë një burim frymëzimi për historianët, shkrimtarët dhe madje edhe për regjisorët e filmit.

Ekspozita, që organizohet nën kujdesin e presidentit të Republikës Prokopis Pavlopoulos, pas Selanikut do të udhëtojë në të gjithë botën, konkretisht në Nju Jork, Kinë, Konstandinupoli, Jeruzalem dhe në Aleksandri.