Bazuar në librin «Enílikoi sto Domátio-Të rriturit në Dhomë» e Giáni Varoufáki, që përshkruan periudhën e shkurtër të qëndrimit të tij në ministrinë e Financave, filmi i ri i 19-të në seri i Kósta Gavrá filloi xhirimet, që do të zgjasin dymbëdhjetë javë dhe do të zhvillohen – përveç Athinës – në Bruksel, Riga, Frankfurt dhe Londër.

Regjisori Kósta Gavrá për temën e filmit thotë: «Është historia e një vendi dhe popullit të tij, të bllokuar në një rrjet të pushtetit: në rrethin vicioz të takimeve të Eurogrupit, që imponuan diktaturën e masave shtrënguese në Greqi. Pas dyerve të mbyllura, luhet një tragjedi njerëzore. Një tragjedi e lashtë greke në kohën e sotme bashkëkohore. Kemi siguruar një grup me aktorë të dëgjuar nga Greqia dhe vende të tjera evropiane».

Nga pala greke, në produksionin e filmit «Enílikoi sto Domátio-Të rriturit në Dhomë» merr pjesë Odeon e Mánou Krezía, ndërsa realizimin e këtij produksioni e ka ndërmarrë Kóstas Lambrópoulos. Në Francë, bashkë-producentët janë rrjeti France Télévisions dhe kompania Wild Bunch, që ka gjithashtu të drejtën e shpërndarjes në Francë, por dhe në mbarë botën.

Dashamirësit e filmit presin të shikojnë se me cilën mënyrë regjisori Kósta Gavrá do të përmbledhë në film një nga periudhat më të errëta të historisë bashkëkohore greke, duke deklaruar njëherësh, se pajtohet plotësisht me pikëpamjet e ish ministrit grek të Financave, Giáni Varoufáki për Greqinë dhe Evropën.