Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias në takimin që kishte dje në Londër me ministrin e Jashtëm britanic Dominic Raab, zhvilloi një bisedë të hollësishme, ku u vu re përputhje e pikëpamjeve në problemin e Qipros.

Në të njëjtën kohë siç theksojnë burimet diplomatike, u bisedua dhe për nevojën e zbatimit të së Drejtës Ndërkombëtare në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Pala britanike tregoi interesim të veçantë për qëndrimet greke si në marrëdhëniet me Turqinë dhe për problemin e Qipros. Siç vuri në dukje ministri britanik, është plotësisht dakort me homologun e tij grek sa i përket zbatimit të së Drejtës Ndërkombëtare të Detit «në Mesdheun Lindor, në Detin Kinez dhe Ngushticën e Hormuzit ».

Z.Raab në lidhje me problemin e Qipros përsëriti pa hezitim, se zgjidhja e vetme e problemit është një Federatë dy komunitare, dy zona, e bazuar në Rezolutat e Këshillit të Sigurimit.

Kreu i diplomacisë greke nga ana e tij nënvizoi marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve dhe u referua në fusha konkrete, të cilat mund të përfshihen në një marrëveshje të re midis dy vendeve në epokën pas Brexit, të tilla si arsimi, kultura, marrëdhëniet tregtare, lufta kundër terrorizmit si dhe çështja e emigracionit dhe refugjatëve.

Në fund z.Dendias u referua dhe në çështjen e kthimit të Skulpturave të Parthenonit.