Përballë provokimit turk edhe një herë tjetër, qeveria greke flet për një kërcënim të drejtpërdrejtë kundër paqes dhe sigurisë dhe sjell çështjen në Këshillin Evropian.

Veprimi i Ankarasë për të dërguar anijen Oruç Reis për kërkime në Mesdheun Lindor, brenda shelfit kontinental grek, 6.5 milje në jug të ishullit Kastelorizo është një përshkallëzim serioz, që hedh në erë çdo përpjekje në lidhje me kontaktet mes dy vendeve.

Turqia duhet të shmangë provokimet në Mesdheun lindor, tha ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, duke shtuar se vendi i tij është solidar me Greqinë dhe Qipron, partnerë të tij në BE.

«Ankaraja duhet të ndalojë lojërat midis uljes së tensionit dhe provokimeve, nëse qeveria e saj interesohet për bisedime siç ka konfirmuar vazhdimisht ajo», vuri në dukje z.Maas, përpara se të nisej nga Berlini për vizitë zyrtare në Greqi dhe Qipro.

Ministri i Jashtëm gjerman i kërkoi Turqisë, të qëndrojë e hapur për dialog dhe të mos përsërisë kërkimet për hidrokarbure.

Ndërkohë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të takohet sot me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas në Pallatin Maksimou, për bisedime në lidhje me situatën në Mesdheun lindor.

Gjithashtu, dje ministria e Jashtme e Francës i bëri thirrje Turqisë, të shmangë çdo veprim provokues në Mesdheun Lindor, duke shprehur shqetësimin e saj për dërgimin e anijes kërkimore nga Ankaraja në një zonë, që ndodhet në qendër të tensioneve midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian.