Profesori grek për Politikën e Shëndetit në (London School of Economics) Ilías Mósialos deklaroi në televizionin publik ERT, se «ende nuk jemi në valën e tretë të pandemisë, jemi në valën e dytë dhe po luftojmë për t’u stabilizuar. Madje, Greqia në krahasim me vendet e tjera evropiane është në një pozitë më të favorshme në lidhje me numrin e rasteve dhe vdekjeve. Pra, të mos shpejtojmë për një diskutim rreth masave të reja më të rrepta. Qëllimi është që të mos përhapet asnjë nga variantet e reja, si ai i Britanisë dhe i Afrikës së Jugut. Vaksinat që përdoren në vendin tonë janë të efektshme dhe për variantet e reja të covid-19».

Siç shpjegoi ai, më tepër shqetësim shkakton varianti i ri i virusit që u shfaq në Britani, sepse përhapet shumë më lehtë, nga 50 deri në 74% sipas vlerësimeve të shkencëtarëve britanikë dhe ndoshta mund të jetë edhe më vdekjeprurës, megjithëse kjo tashmë nuk është faktuar.

«Shpresojmë që varianti i ri i virusit britanik nuk do të mbizotërojë kaq shpejt në vendin tonë, domethënë brenda muajit Shkurt, kështu që në muajin Mars, që do të kemi shumë aktivitete në ambientet natyrore dhe do të jetë më lehtë për shkak të kushteve të motit të ajrosim ambientet e mbyllura dhe shkollat, të kufizojmë transmetimin e virusit. Gjithçka do të varet nga vaksinimet, që duhet të bëhen më shpejt» shtoi ai.