Më e mirë është situata sot në Evvoia, konkretisht në bashkinë e Dirfýon – Messapíon, ku zjarrfikësit, vullnetarët, banorët dhe autoritetet vendase bënë përpjekje të mëdha gjatë gjithë natës për shuarjen e zjarreve.

Frontet e zjarreve janë dy: në Platána dhe Kokkalá , në një distancë 4 kilometra nga Psachná.

Ndërkohë ekziston optimizmi se së shpejti do të përballohet katastrofa e madhe ekologjike që shkaktoi zjarri në Évvoia pasi është ulur intensiteti i erës dhe me dritën e parë të ditës filloi përsëri fluturimi i aeroplanëve zjarrfikës për shuarjen e zjarrit.

Ndërkohë qindra zjarrfikës, vullnetarë, banorë dhe autoritetet lokale vazhdojnë përpjekjet për të përballuar frontin e zjarrit që është përhapur në një gjatësi 11 kilometra ku flakët arrijnë deri në 20 metra.

Dje, një vullnetar zjarrfikës u plagos gjatë shuarjes së zjarrit dhe u shtrua në spitalin KAT.

U rivendos energjia elektrike në zonën që ishte ndërprerë nga një shpërthim që ndodhi në transformatorin e Korporatës së Energjisë Elektrike.

Bashkia e Dirfýon-Messapíon u shpall në gjendje të jashtëzakonshme, dhe pas evakuimit të fshatrave, Makrymálli, Kontodespóti dhe Stavrós shërbimi zjarrfikës evakuoi dhe banorët e fshatit Plataná.

Kryeministri Kyriákos Mitsotákis gjatë vizitës së tij në Qendrën e Koordinimit të Operacioneve të Shërbimit Zjarrfikës në Chalándri theksoi se kujdesi kryesor i shtetit ishte, është dhe do të jetë mbrojtja e jetës njerëzore.

Zëvendës prefekti i rajonit të Greqisë Qendrore, Thanásis Karakántzas në televizinin publik ERT, tha se banorët e fshatrave që ndodhen pranë fronteve të zjarreve janë absolutisht të sigurtë.

Nuk ka asnjë rrezik për banorët e rajonit. Ata janë transportuar në vende të sigurta.

Sot për shuarjen e zjarrit do të ndihmojnë dy avionë italianë që ndodhen në vendin tonë në kuadrin e aktivizimit të Mekanizmit Evropian për Mbrojtjen Civile që kërkoi Greqia. Ndërkohë me mjete ajrore do të ndihmojë Kroacia dhe Spanja.

Sekretaria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile paralajmëron se sot ekziston një rrezik i lartë për zjarre në Attikí, Pelopónez,Greqinë Qendrore, Attikí, Thessalía, Ípeiro, Chalkidikí, Makedonínë lindore ,Thrákë dhe në Egjeun verior.