Kithira, «ishulli i sekreteve të ëmbla dhe festave të zemrës» siç e ka përshkruar poeti i madh francez Charles Pierre Baudelaire (9 Prill 1821 – 31 Gusht 1867), është ishulli i perëndeshës së dashurisë, i perëndeshës Afërditë.

Një ishull në qendër të Gjirit lakonik, i veshur me legjenda dhe histori me piratë. Emri Kithira ose (Tsirigo) ka rrënjët e tij thellë në histori. Homeri e përmend atë në veprën e tij epike Iliada, ndërsa perëndesha Afërditë, perëndeshë e dashurisë, identifikohet me ishullin dhe merr emrin Kitheria. Edhe shkrimtarë të tjerë të rëndësishëm të antikitetit i referohen ishullit me emrin Kithira. Midis tyre Herodoti, Dionisi, dhe madje edhe Aristoteli dhe Ksenofoni.

Ishulli me bukuritë e veçanta natyrore, fshatrat piktoresk dhe plazhet mahnitëse që ofron për vizitorët e tij një mjedis të relaksimit dhe gjendje shpirtërore verore të lumtur.

Ishulli gjendet në Greqinë jugore, në jug të Peloponezit dhe Elafonisit dhe në veriperëndim të Kretës, larg nga kompleksi i Ciklades dhe ishujve të Jonit, por arrin të kombinojë diellin verbues të Egjeut me pasurinë e ishujve të Jonit.
Çdo vit tërheq gjithnjë e më shumë udhëtarë, që zbulojnë bukurinë e një ishulli, ideal për çdo shije. Zbuloni Tsirigon e bukur, që e mori këtë emër shtesë në mesjetë dhe gjeni një përvojë të ndryshme për pushime.

Duke eksploruar ishullin: Destinacioni i parë është Hora, kryeqyteti i ishullit dhe porti i saj kozmopolit Kapsali, fshati bregdetar, pikërisht nga poshtë. Rrugë të ngushta me shtëpi lyer me gëlqere, ju përshëndesin në këtë kompleks të bukur banimi. Ndërtesat veneciane, por dhe shumë të tjera që u ndërtuan në pushtimin britanik, shtëpitë e vjetra arkondike dhe banesat e fisnikëve të vjetër, përbëjnë një pamje të këndëshme, që përqafohet nga kështjella veneciane e vitit 1503, e cila dominon në majë të kodrës.

Vlen të vizitoni Arkivin Historik të Kithiras, që ndodhet në brendësi të kështjellës dhe ruan dokumente të shekullit 160-të, por dhe Muzeun Arkeologjik, në hyrje të Horës. Mund të endeni në rrugicat e bukura me dyqane turistike dhe të shijoni kafenë dhe ëmbëlsirën në një mjedis përrallor. Hora është gjithashtu dhe një vend ideal për të qëndruar, sepse ka shumë hotele dhe dhoma me qira. Në mesditë, zbrisni në Kapsali për një zhytje të freksët në gjirin e bukur dhe për ngrënie në tavernat buzë bregdetit. Këtu rreh zemra e argëtimit të natës në ishull, një vend takimi për vendasit dhe turistët.

Në verilindje të ishullit do të gjeni Agia Pelagia, një vendpushimi veror shumë popullor në Kithira, që mbledh shumicën e hoteleve dhe të apartamenteve me qira. Është një nga fshatrat më të mëdha të Kithiras, me portin më të vjetër, ka një plazh të bukur por dhe shumë plazhe të tjera të bukura. Në këtë zonë përfundon gryka e Kakias Lagadas, një peizazh me bukuri të veçantë natyrore, që duhet të vizitoni. Fshati kryesor i ishullit është Potamos, që paraqet interes të rëndësishëm arkitektonik, sepse këtu do të shikoni shtëpitë më të vjetra arkondike, garnizonin venecian dhe ndërtesa të tjera neoklasike. Potamos është fshati që nuk fle. Madje dhe në dimër, sheshi i tij me kafenetë tradicionale, furrat e bukës dhe tavernat gumëzhin nga jeta. Rreth 8 km larg do të shihni gërmadhat e Paleohoras, kryeqyteti historik i Kithiras. Rrënojat e kryeqytetit bizantin qëndrojnë mbi një kodër të pjerrët, duke krijuar një mjedis spektakolar, me rrënojat e shtëpive dhe kishave që plotësojnë peisazhin.

Në lindje të ishullit, ndërtuar mbi gjire piktoreske, është një nga fshatrat më të bukur të Kithiras, Avlémonas. Ky fshat bregdetar është ideal për zhytje në verë nga shkëmbinjtë që hyjnë në det, por edhe për relaksim dhe ngrënie në një nga tavernat e famshme të peshkut. Milopotamos është karakterizuar nga shumë si fshati i legjendave dhe traditave. Pini kafenë tuaj, gjithmonë të shoqëruar me një ëmbëlsirë tradicionale, në sheshin qendror, nën rrapin e madh. Ujra të rrjedhshëm dhe një arkitekturë e mrekullueshme, janë karakteristikat kryesore të fshatit. Nga Milopotamo do të gjeni dhe rrugën, që do t’ju çojë në ujëvarën e Fonissas, një nga atraksionet më të bukura të ishullit. Është ndoshta një vend, që nuk do të prisnit për të parë në një ishull. Përmes një rruge me bimësi të pasur, do të zbuloni një seri me ujëvara dhe mullinj të braktisur, që krijojnë një peizazh magjik, një oazë të freskët në zemër të verës.

Notoni në plazhet e Kithiras: Një nga plazhet më të njohura dhe të fotografuara të ishullit është Kaladi, parajsa për të gjithë ata që duan plazhe të paorganizuara. Një plazh me guralecë dhe ujë kristal, që ndahet në tre pjesë, duke krijuar një pamje magjike. Është i arritshëm nga rrugë të paasfaltuara dhe duhet të zbrisni shumë shkallë prej guri për të arritur atje, kështu që do të ishte mirë që të keni me vete furnizimin tuaj të nevojshëm.

Plazhet e preferuara për të rinjtë janë Firi Ammos me rërë të kuqe dhe guralecë, plazhi i bukur i Halkos dhe bregdeti i madh i Palaiopolis. Familjarisht mund të notoni në Kapsali, në portin piktoresk të Avlemonas, në Dhiakofti me ujërat e cekët dhe kristal dhe natyrisht në Agia Pelagia. Dhe lista e gjatë nuk ndalet këtu, pasi plazhet në Kithira janë të shumta, të bukura dhe në pritje për t’u zbuluar.

Vizitoni Manastirin e Panagiasë së Mirtidiotissas: Është mbrojtësja e çdo gjëje në Kithira dhe gjendet në perëndim të ishullit. Tradita thotë se një bari pa në gjumin e tij një engjëll, i cili i tregoi një vend në zonën ku ai kishte dhentë dhe kur u zgjua të nesërmen, ka gjetur në një mëtrik, shëmbëlltyrën e Panagiasë (Virgjëreshës). Atje ndërtoi manastirin. Brenda tempullit mund të shohim flijimet e besimtarëve tek Virgjëresha dhe të admirojmë ikona të shekullit të 17-të dhe 18-të që mbahen atje.

Kithira ka diçka të veçantë. Është ndjenja që ka dikush, se asnjë kënd i tij nuk ngjan me tjetrin. Çdo destinacion në ishull është një përvojë e veçantë.

Kithira. Një ishull i bekuar nga perëndesha e dashurisë për të joshur vizitorët e tij!