Kithnos nuk është i famshëm, as paraqitet në faqet e revistave të njohura. Ndërkohë, ka rrugica «klasike» cikladike, shtëpi të bardha, plazhe me rërë, ujëra kristal dhe taverna buzë detit. Është fjala për ishullin e Kithnos, një nga sekretet më të fshehura mirë e Ciklades së famshme.

Ishulli i bukur i Kithnos bën pjesë në familjen ishullore të Ciklades dhe shtrihet mes ishujve Xhia dhe Serifo. Ishulli i famshëm me peisazhin cikladik nga një skaj në tjetrin, fsheh surpriza të këndshme për vizitorët. Gjendet 52 milje detare larg portit të Pireut. Udhëtimi zgjat 3 orë me tragetet e zakonshme, një orë e gjysmë me skafet e shpejtë dhe ka linjë detare edhe me portin e Lavrios, ku udhëtimi zgjat 1 orë e 30 minuta, prandaj Kithnos, është një destinacion ideal jo vetëm për fundjavë por dhe për pushime më të gjata.

Duke arritur në ishull, kontakti tuaj i parë me të do të jetë Merihas, porti i ishullit, nga ku fillojnë dy akset rrugore kryesore, që do t’ju çojnë në fshatrat dhe plazhet e ishullit. Kur të zbrisni do të keni mundësinë për të admiruar shtëpitë e vogla të bardha, por dhe duke vëzhguar banesat e «parregullta», të cilat për fat të mirë ende nuk janë shumë.

Në qytetin piktoresk të Kithnos, i cili është ndërtuar pas shkatërrimit të Kithnos së lashtë, menjëherë të bien në sy shtëpitë e bardha me arkitekturën cikladike dhe kafenetë tradicionale. Duke u endur në rrugicat e ngushta të qytetit, do t’ju tërheqin vëmendjen tuaj skenat e pikturuara mbi rrugët me kalldrëm, të frymëzuara nga jeta ishullore dhe kisha e Panagias me orën e madhe. Në rrugën për në qytet do të shikoni tabelat se si shkohet për në Kolona, ku natyra ju rezervon një surprizë të këndshme. Një peizazh unik, me një plazh të madh, i cili ndan detin në dy pjesë. Në vazhdim të udhëtimit tuaj, pas qytetit të ishullit ose siç quhet ndryshe Hora dhe në një distancë 5 kilometra do të arrini në vendin turistik të Kithnos, Lutra, i cili mori emrin e tij nga burimet e nxehta, të njohura që nga lashtësia. Në vendbanimin Lutra me infrastrukturë turistike shumë të mirë, ju do të gjeni shumë hotele dhe vende për qëndrimin tuaj. Nuk duhet të humbni perëndimin e diellit në ishullin e Kithnos dhe shëtitjen në marinën e Lutras, e cila sot pret jahte luksoze. Pranë Lutra ndodhen plazhet Shinari dhe Marulas.

Hora
Dhe shëtitja fillon. Pasi morrët fuqi me gjellët e shijshme lokale, është koha për eksplorim. Vizitoni kryeqytetin Hora të ishullit ose Mesaria, siç e quajnë vendasit (rreth 8 km nga Meriha), duke ndjekur rrugën kryesore, nëpër malet cikladike me gurët karakteristikë. Sapo të shikoni shtëpitë e para, kërkoni se ku është zona e parkimit publik, për të parkuar makinën tuaj, sepse me siguri nuk ka vend në rrugët e ngushta të qytetit.

Ishulli i Kithnos do t’i japë pushimeve tuaja një notë të veçantë me shëtitje romantike nëpër fshatrat piktoreske dhe vendbanimet bregdetare të tij, por edhe nëpër rrugët labirint të qytetit. Në Driopidan tradicionale, traditat popullore dhe historia gjallërohen nëpërmjet zakoneve që banorët e ishullit çdo vit përpiqen ti kujtojnë, nëpërmjet ekspozitave muzeale dhe objekteve të lashta. Driopida është vendbanimi i dytë i madh në ishull, pas kryeqytetit Hora dhe karakteri tradicional i tij e rendit në një nga fshatrat më piktoreske të Ciklades. Disa nga karakteristikat më tërheqëse të tij janë rrugët e shtruar me kalldrëm dhe sokaqet e tij. Shtëpitë shumë të bardha dy-katëshe të këtij vendbanimi shtrihen në mënyrë amfiteatrale në shpatet e maleve. Arti i qeramikës tepër i zhvilluar në këtë rajon, evidentohet edhe nga çatitë me tjegulla të kuqe, që zbukurojnë shtëpitë e Driopida-s, ndryshe nga ato të Horës.

Për pjesën tjetër të ishullit, vendi turistik i pushimit Kanalas, ndodhet në një nga pozicionet më të bukura të Kithnos, që dallohet sepse është plot me pisha, ndërsa plazhi me rërë të imët dhe ujërat kristal janë ideale për orët e pafund të relaksimit dhe notit. Këtu ndodhet edhe Manastiri i Panagias Kanalas, mbrojtësja e ishullit, (është larg rreth 13 km nga Merihas), i cili çdo vit tërheq besimtarë të shumtë që vijnë për të adhuruar, nga vende të ndryshme të Greqisë. Këtu, ju pothuajse do të harroni se jeni në Ciklades. Një pyll i dendur me pisha dhe një plazh i madh me rërë, do monopolizojnë interesimin tuaj. Por nuk do të gjeni vetëm këto. Fshati bregdetar ka emrin e kishës me të njëjtin emër, në të cilën gjendet ikona e mrekullueshme e Panagias (e Virgjëreshës), për hir të së cilës organizohet çdo verë panairi më i madh i ishullit (15 gusht).

Çlodhuni në një nga kafenetë e bukura dhe më pas bëni një vizitë në shpellën Katafyki, një nga më të mëdhatë në Greqi me stalaktite dhe stalagmite mahnitëse.

Plazhet
Në ishullin magjik të Kithnos ju presin gjashtëdhjetë e pesë plazhe të mrekullueshëm të dhëmbëzuar, të tilla si Levkes, Kolona, Episkopi, Kanala, Apokrusi, Lutra e të tjera që janë ideale për not dhe sporte uji. Arsyeja kryesore që ju duhet të vizitoni Kithnos e ka emrin: plazhe. Ujëra kristal, plazhe me rërë, gjire piktoreske dhe … asnjë vend me plazhe të organizuara me çadra dhe krevate plazhi. Noti në Kithnos nuk të kujton asgjë nga plazhet e ishujve kozmike cikladike me baret e zhurmshme. Këtu mund të mos keni një krevat plazhi për relaksim, por keni mundësinë për të bërë zhytje të pafund dhe banjo dielli në rërë.

Plazhi “protagonist” i ishullit është Kolona i famshëm, një rrip me rërë që laget në të dy anët me ujërat kristal të Egjeut. Por ende nuk kemi parë asgjë. Banorët e ishullit të Kithnos kujdesen me çdo mënyrë për të ruajtur traditat dhe zakonet e paraardhësve të tyre, por edhe për të festuar me madhështi të veçantë festat fetare.

Panairi është një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës në Kithnos. Të vogla apo të mëdha panairet japin për banorët e ishullit shkakun për të festuar festat fetare, por krahas janë edhe rasti për mbrëmje të mëdha argëtimi, të cilat fillojnë në mbrëmjen e një dite më parë, zgjasin tërë natën dhe vazhdohen deri në ditën e ardhshme. Njerëzit këndojnë dhe argëtohen me «zies», një kombinim i muzikantëve lokalë të violinës dhe lahutës.

Si mund të shkoni në këtë ishull

– Me traget nga porti i Pireut (rreth 3 orë) dhe mund të kontaktoni në telefonin e Autoritetit Portual të Pireut me numër: 210 4226000 – 4 dhe 210 4511310 -17

– Me traget nga porti i Lavrios (rreth 1 orë dhe 40 minuta) dhe mund të kontaktoni në telefonin e Autoritetit Portual të Lavrios me numër: 22920 25249

Në ishullin e Kithnos do të keni mundësinë të shijoni shumë gjellë të ndryshme nga kuzhina tradicionale greke. Të kërkoni mish të shijshëm vendas dhe peshk të freskët si dhe llojet e djathit që prodhohen në ishull, por edhe byrekë si dhe qiqra të gatuar në furrë të shoqëruara me verë të zgjedhur vendase. Vlen të bleni mjaltë nga ishulli, verë, susam, kaperi dhe ëmbëlsira me bajame.