Reagime nga i gjithë spektri politik si dhe nga Bashkimi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve shkaktoi vendimi i Policisë Greke, për të ndaluar në përgjithësi grumbullimin e më shumë se tre personave në të gjithë vendin për katër ditë me rastin e përvjetorit të Politeknikut më 17 Nëntor.

Vendimin e shefit të Policisë Greke (EL.AS.) e dënojnë me një tekst të përbashkët, Partia Komuniste Greke (KKE), SYRIZA-Aleanca Progresive dhe MERA25, parti të cilat sot së bashku me juristë dhe përfaqësues të sindikatave pritet të paraqesin një notë-protestë Presidentes së Republikës, Parlamentit dhe qeverisë.

Nga ana e saj, Lëvizja për Ndryshim (KINAL) akuzoi qeverinë se hedh vaj në zjarr me vendimet e saj, të cilat kujtojnë diktaturën e kolonelëve.

Një ndërhyrje të fortë për këtë çështje bëri dhe Bashkimi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili e karakterizoi vendimin e Policisë Greke si antikushtetues dhe i kërkoi qeverisë ta revokoj atë menjëherë.

Ky vendim nuk është antikushtetues, përfshihet në Nenin 11 të Kushtetutës, tha në Televizionin publik ERT, Antonis Manitakis, profesor i së Drejtës Kushtetuese.

Ndërkohë, MERA25 shkon sot në Këshillin e Shtetit, duke kërkuar anulimin e vendimit të policisë.