Konsensusi i partive është përgjigja ndaj përshkallëzimit të agresivitetit turk.

Siç deklaroi ministri i Jashtëm Níkos Déndias, në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Politikës së Jashtme u konstatua unitet kombëtar.

«Kjo është mundësia më e fortë në mjetet e diplomacisë së Greqisë» tha ai, duke shtuar se vendi mund të trajtojë të gjitha problemet me seriozitet dhe gjakftohtësi.

Një përgjigje e qartë evropiane ndaj provokimit turk është referimi i qartë që përfshihet në projektin e konkluzioneve të Samitit të Lartë të Bashkimit Evropian, që do të zhvillohet më 12 Dhjetor në Bruksel.

Samiti do të dërgojë mesazhin e qartë se marrëveshja Turqi-Libi nuk përmban efekte ligjore dhe është e pavlefshme, siç zbuloi zëvendës ministri i Jashtëm grek Miltiádis Varvitsiótis.

Gjithashtu, u publikua përmbajtja e dy letrave që u dërguan njëra në Këshillin e Sigurimit dhe tjetra Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, me të cilat kërkohet dënimi i marrëveshjes që u nënshkrua midis Turqisë dhe Libisë.

Në këto letra vihet në dukje se zonat detare të të dy vendeve nuk janë fqinje, se Marrëveshja shkel të drejtat sovrane të Greqisë dhe se është e pavlefshme, pasi nuk u aprovua nga Parlamenti i Libisë.

Rritja e provokimit të Turqisë dhe veprimet që bën Greqia u diskutuan në takimin e kryeministrit Kyriako Mitsotaki me ambasadorin amerikan në Athinë, Jeffrey Paiat.

Në të njëjtën kohë, gjatë takimit të tyre u diskutua dhe përgatitja e udhëtimit të z.Mitsotakis në SHBA, nga data 6 deri më 8 Janar të vitit 2020 dhe takimi i tij me presidentin amerikan Donald Trump më 7 Janar në Shtëpinë e Bardhë.