Kryeministri Kyriákos Mitsotákis në konferencën e zakonshme për shtyp, në kuadrin e Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, konfirmoi se politika ekonomike e qeverisë jep rëndësi të veçantë në zhvillimin e vendit, përmes një vale investimesh të huaja dhe vendase, që do të sigurojnë paga më të mira dhe vende pune.

Kreu i qeverisë tha në mënyrë karakteristike, se po zbatojmë një politikë, që është plotësisht në përputhje me angazhimet tona politike dhe nga viti 2021 do të kemi hapësirë financiare për uljen e taksës së solidaritetit, ndërsa ndihmat sociale nuk do të hiqen.

Për revizionimin e kushtetutës, z.Mitsotákis tha se do të përfundojë deri në fund të vitit, duke venë në dukje se nuk do të kenë lidhje çështjet e ligjit zgjedhor me ndryshimin e kushtetutës dhe se do të propozojë një ligj, i cili do të garantojë qeverisjen e vendit.

Për çështjen e refugjatëve, kryeministri vuri në dukje se marrëveshja midis BE-së dhe Turqisë duhet të zbatohet dhe se do të ndryshojë procedura e dhënies së azilit, por pa prekur të drejtat e njeriut. Gjithashtu, konfirmoi se synimi i tij është të takohet me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se «vetëm përmes bisedimeve mund të gjesh zgjidhje të pranueshme reciproke».