Mesazh për Turqinë dërgojnë udhëheqësit që morën pjesë në Konferencën Euro-Mesdhetare MED7, e cila përfundoi dje në Korsikë.

Në tekstin e konkluzioneve dhe në paragrafin 6 që flet për Paqen dhe Stabilitetin në Mesdhe, udhëheqësit shprehin mbështetjen dhe solidaritetin e tyre të plotë për Greqinë dhe Qipron, për shkeljet e përsëritura të sovranitetit dhe të drejtave sovrane, por dhe për veprimet agresive të Turqisë.

Të shtatë udhëheqësit duke marrë parasysh konkluzionet e Këshillit të fundit Evropian, shprehin keqardhjen e tyre për faktin se Turqia nuk është përgjigjur në thirrjet e përsëritura të BE-së, për t’i dhënë fund veprimeve të saj të njëanshme dhe të paligjshme në Mesdheun Lindor dhe Egje.

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për rifillimin e një dialogu pa shantazhe dhe kërcënime dhe përdori një gjuhë veçanërisht të ashpër, duke thënë se Turqia nuk është më një partner në Mesdheun lindor.

Kryeministri grek Kyriákos Mitsotákis theksoi se Turqia po largohet nga e drejta ndërkombëtare dhe destabilizon Mesdheun lindor, ndërsa presidenti i Qipros Níkos Anastasiádis i bëri thirrje Ankarasë për një dialog të sinqertë.

Në të njëjtën kohë, në takimin e dy udhëheqësve Emanuel Macron dhe Kyriako Mitsotaki kishte një përputhje mendimesh për strategjinë kundrejt Turqisë si dhe për bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes midis të dy vendeve.

Mesazhi që dërguan të dy udhëheqësit gjatë takimit të tyre në Korsikë është: «Ndalojnë provokimet dhe fillojnë bisedimet, përndryshe hapet rruga për sanksione».