Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias vizitoi dje Tunizinë dhe u takua me udhëheqjen shtetërore dhe politike të këtij vendi.

Kjo vizitë u bë në kuadrin e përpjekjes diplomatike të Athinës, për normalizimin e situatës në Mesdheun Juglindor, duke u afruar me vendet që janë në kufi, por dhe që influencojnë zhvillimet në Libi.

Në fokusin e bisedimeve ishin situata në Mesdheun Lindor, kriza në Libi si dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.

Z.Dendias dhe homologu i tij tunizian Noureddine Erray nënshkruan një marrëveshje, për lehtësimin e mëtejshëm të transporteve detare.

Kreu i diplomacisë greke vuri në dukje, se Greqia njeh rolin kryesor stabilizues dhe konstruktiv të Tunizisë në rajon, ndërsa nga ana e tij z.Erray theksoi se «Tunizia kundërshton çdo ndërhyrje të huaj ose ndërhyrje ushtarake në Libi».