Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias u takua në orën 12:00 me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov.

Gjatë takimit të tyre diskutimet përqendrohen në çështje me interes dypalësh, kryesisht për bashkëpunimin në sektorin ekonomik dhe energjitik si dhe çështje me interes rajonal dhe ndërkombëtar, veçanërisht për situatën në Mesdheun Lindor, Lindjen e Mesme, problemin e Qipros dhe marrëdhëniet BE-Rusi.

Të dy ministrat e Jashtëm do të nënshkruajnë një «Memorandum të Përbashkët për organizimin e vitit historik Greqi – Rusi në vitin 2021».

Takimi i dy ministrave vjen një ditë pas mesazhit të fortë të z.Dendias në Parlament ku tha se «nuk pranojmë pretendime për shkeljen e ligjeve, nuk pranojmë kërcënime për luftë. Nuk pajtohemi me pretendimet e njëanshme».

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, me rastin e vizitës së tij sot në Athinë, në një intervistë me Agjencinë e Lajmeve të Athinës dhe Maqedonisë, duke u referuar shumë qartë në Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit thekson se është e drejtë sovrane e çdo shteti, për të përcaktuar zgjerimin e ujërave territoriale deri në 12 milje.

Sipas një njoftimi përkatës të ministrisë së Jashtme, shefi i diplomacisë greke Nikos Dendias dha udhëzime për të paraqitur një notë protestë të menjëhershme ndaj palës turke për Navtex-in e ri të paligjshëm turk si dhe të informohen aleatët dhe partnerët për sjelljen e vazhdueshme provokuese të Turqisë.