Ministria e jashtme greke ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të komisionerit për zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, i cili njeh çështjen çame, duke e listuar atë ndërmjet problemeve mes dy vendeve. Sipas Ministrisë së Jashtme greke kjo deklaratë është e pavërtetë dhe e papranueshme.

«Siç e dimë, çështja çame nuk ekziston dhe për këtë arsye nuk është pranuar asnjëherë si pjesë e negociatave mes qeverisë greke dhe asaj shqiptare. Komisioneri Hahn me këtë përgjigje të pavërtetë, tregon se nuk po ushtron detyrën dhe funksionet e tij mbi parimin e paanësisë e për të përparuar interesin e përbashkët të Bashkimit Europian», thuhet në njoftimin konkret të ministrisë së Jashtme.

«Tashmë, i është kërkuar, dhe është i detyriar në bazë të rolit të tij institucional, për të dhënë shpjegime bindëse për sa i përket përmbajtjes së papranueshme dhe të rreme të përgjigjes së tij», përfundon njoftimi i ministrisë së Jashtme.

Reagimi i Athinës ndaj komisionerit për zgjerimin e BE-së,Johannes Hahn erdhi pas përgjigjes që ky i fundit i ktheu shqetësimit të eurodeputetes greke María Spyráki në lidhje me ato që eurodeputetja i cilësoi pretendime irredentiste të Shqipërisë.

Komisioneri theksoi se Athina dhe Tirana zyrtare po diskutojnë tashmë për krijimin e një mekanizmi të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, duke përmendur ndër të tjera edhe çështjen çame, të cilën Greqia nuk e njeh.

«Ne nuk marrim qëndrim në çështjet dypalëshe» ishte përgjigja që dha Komisioni Evropian.