Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke thuhet se «Greqia dhe Turqia ranë dakord, të zhvillojnë së shpejti ciklin e 61-të të kontakteve të tyre në Konstantinoúpoli».

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias njoftoi fillimin përsëri të kontakteve të Greqisë me Turqinë dhe sqaroi se ato janë bisedime dhe jo negociata.

Z.Dendias duke folur në një konferencë në internet që organizuan Instituti i Demokracisë «Konstantínos Karamanlís» dhe Qendra «Martens» për Studime Evropiane me titull «Kërcënimi i Revizionizmit: Sfidat e Sigurisë në Mesdheun Lindor» shpjegoi se zhvillimi i bisedimeve do të thotë se përpiqemi të gjejmë rregulla, në bazë të së cilave do të zhvillojmë bisedimet.

«Pse është kaq e vështirë? Sepse Turqia nuk pranon të Drejtën Ndërkombëtare si një rregull të përbashkët», shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm përshkroi veprimet provokuese dhe të paligjshme të Turqisë në periudhën e fundit. Në veçanti, foli për një përshkallëzim të madh të provokimit turk dhe të sjelljes së saj të paligjëshme në Egje dhe Mesdheun Lindor, si dhe për një revizionizëm nga ana e Turqisë.

Kreu i diplomacisë greke duke u referuar në qëndrimin e BE-së,theksoi se ajo duhet të qëndrojë në anën e vendeve anëtare të saj dhe gjithashtu vuri në dukje se Bashkimi Evropian duhet të bëjë të qartë se nëse Turqia vazhdon këtë sjellje, duhet ti vendosen sanksione dhe veçanërisht në ekonominë turke.