Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik njoftoi dje 3.227 raste të reja me covid -19, ndërsa numri total i personave të infektuar nga koronavirusi në Greqi arriti në 85.261. Nga këto 646 raste janë konfirmuar në Attikë, 776 në Selanik, 112 në Drama, 109 në Imathia, 155 në Larisa, 149 në Pela, 103 në Pieria, 156 në Serres.

499 pacientë janë të shtruar në spital për terapi intensive.Gjithashtu në 24 orët e fundit u regjistruan 59 vdekje të tjera duke e çuar në 1.347 numrin e viktimave të koronavirusit në Greqi. 427 pacientë kanë dalë nga spitali.

Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe bazuar në një ligj përkatës që miratoi parlamenti, dy klinika private dhe stafi i tyre në Selanik nga sot dhe për 15 ditë janë venë në dispozicion të Rrethit të 4-të Shëndetësor të Maqedonisë dhe Thrakës, për të trajtuar vetëm pacientë me koronavirus.
Në të njëjtën kohë, një tren është gati në Selanik që të transportoj pacientë me koronavirus në Athinë për trajtim mjekësor, nëse do të jetë e nevojshme.

Zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas njoftoi masa të tjera për ndalimin e përhapjes së pandemisë në Greqinë Veriore dhe ju bëri përsëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat.
Sot nga ora 6:00 në mëngjes u mbyll pika kufitare e Krystalopigis, ndërsa të hapura do të jenë pikat kufitare e Kakavies, Evzonit dhe Promachonas. Nga Nymfaía do të kalojnë vetëm kamionët.