Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias në një intervistë për Euronews tha se kontaktet midis Greqisë dhe Turqisë janë të rëndësishme,por «nuk është hapi i madh».

Vuri në dukje se Turqia ishte ajo që ndërpreu takimet në vitin 2016 dhe jo Greqia, duke theksuar se është e rëndësishme që këto bisedime të rifillojnë. Ishte një takim i «rilidhjes», do të shohim se ku do të drejtohemi, shtoi z.Dendias.

Kreu i diplomacisë greke duke u përqëndruar në anën pozitive, karakterizoi si diçka jashtëzakonisht të rëndësishme, që Turqia vendosi se diplomacia e armëve nuk sjell asnjë zgjidhje dhe rikthehet në një përpjekje për të arritur një mirëkuptim me Greqinë, Qipron dhe Bashkimin Evropian.

Duke bërë të qartë natyrën e kontakteve, tha se ato nuk janë negociata. «Janë bisedime në nivelin e ambasadorëve, të cilat përpiqen të përcaktojnë kushtet për zhvillimin e negociatave reale» shpjegoi më tej z.Dendias.

Në pyetjen nëse sanksionet mbeten në tryezë, ministri i Jastëm grek theksoi se që të mos zbatohen, Turqia duhet të përshtatet me të drejtën ndërkombëtare.