Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Marokut, Níkos Déndias dhe Nasser Bourita gjatë takimit të tyre në Rabat shprehën kundërshtimin e tyre për marrëveshjet që ka nënshkruar qeveria e Tripolit si dhe ndërhyrjen nga jashtë në Libi.

Z.Dendias mesazhoi përsëri, se marrëveshjet që u nënshkruan midis Turqisë dhe Libisë janë plotësisht jashtë sferës së ligjit ndërkombëtar, të paligjshme dhe nuk kanë asnjë efekt juridik.

Më tej vuri në dukje, se këto marrëveshje shkelin Marrëveshjen Skhirat, që është baza ligjore e funksionimit shtetëror të Libisë dhe se ato përbëjnë një përpjekje për të shkelur të drejtat sovrane të vendeve të treta në Mesdhe, duke minuar stabilitetin në Libi dhe rajonin e gjerë.

Nga ana e tij, ministri i jashtëm i Marokut tha se këto angazhime ligjore dhe qëndrime politike që sjellin palë të ndryshme të interesit në Libi, shërbejnë axhendat e huaja dhe nuk kanë asnjë lidhje me interesat e popullit libian.

Të dy ministrat përsëritën mbështetjen e tyre në përpjekjet e OKB-së për arritjen e zgjidhjes politike në Libi.