Një udhëtim në Chaniá të rezervon shumë surpriza! Një prej tyre është Gryka e famshme e Samariás, Gryka e dytë më e madhe, por dhe më e bukur në Europë, me gjatësi 18 km.

Kreta është e karakterizuar nga ekzistenca e qindra kanioneve (Gryka). Sidomos në Sfakiá «vendi i kanioneve» siç e quajnë, në një distancë prej 30 km janë të përqëndruara mbi 15 kanione madhështore, në mesin e tyre edhe kanioni i famshëm i Samariás.

Njëri është kanioni, thonë Kretasit, të tjerat janë gryka. Dhe me të vërtetë një është kanioni, jo vetëm në Kretë, por dhe në të gjithë Greqinë. Mijëra njerëz nga çdo vend i botës e vizitojnë atë çdo vit.

Rajoni i Samariás u shpall si Park Kombëtar në vitin 1962 dhe në vitin 1971 fiton Diplomën Kombëtare për Ruajtjen e Natyrës, ndërsa në vitin 1973 u shpall një vend me bukuri të madhe natyrore dhe në vitin 1981 shpallet nga UNESCO si «Rezerva e Biosferës».

Kanioni është i hapur për vizitorët nga fillimi i muajit Maj e deri në fund të Tetorit dhe kalimi i tij mund të bëhet brenda 6 orëve duke ecur shpejtë, ose për 8 orë, për një njohje më të mirë. Hyrja e tij është në një lartësi prej 1.250 metra në Omalos. Ngjitja bëhet nga një monopat i gdhendur, në pjesën më të madhe të tij, në shpatin e pjerrët. Pjesa e parë e udhëtimit është e mbushur plotë me selvi, pemë e njohur nga lashtësia, me pisha dhe bimë të tjera. Kanioni kryesor impresionon me shpatet e tij të egër, ndërsa këtu jeton e lirë dhe dhia e egër e Kretës, kafsha e vetme e egër, e veçantë nga bukuria dhe shpejtësia e saj, e cila pasqyrohet që nga vitet minoike në vazo të panumërta dhe skulptura.

Në jug të pllajës së Omalos, në një lartësi prej 1.200 metra fillon udhëtimi magjik, i cili kalon nëpër një peizazh të mrekullueshëm, me formacione të rralla gjeomorfologjike. Pjesët më të ngushta të kanionit quhen porta dhe më karakteristikja prej tyre, porta prej hekuri, lë një pasazh vetëm tre metra të gjerë për të kaluar udhëtari, ndërsa lartësia e shkëmbinjve këtu arrin 300-700 metra në disa vende. Duke dalë nga kanioni, gjendemi në fshatin e Agías Roumélis dhe në plazhin e bukur të Detit libian. Këtu vizitori mund të pushojë dhe të marrë diçka, para se të udhëtojë me tragetin, që do t’ju çojë në Sfakiá, për të vazhduar udhëtimin tuaj në ishullin e Mínoas.

Njohja me kanionet e Kretës, është njëkohësisht njohje me kulturën, natyrën dhe historinë e ishullit. Lista e kanioneve te Kretës është e gjatë (kanioni i Kourtaliótikos, Zákros, Agíos Nikoláos dhe shumë të tjera) dhe është e vështirë klasifikimi i tyre, pasi secili prej tyre ka karakteristikat e veta dhe është i lidhur me mitet dhe legjendat, ngjarjet historike dhe sidomos me karakteristikat (të dhënat) gjeomorfologjike.

Vlen që vizitorët të bëjnë një ekskursion në Kanionin e Samariás dhe të kalojnë një përvojë, e cila do t’u mbetet e paharruar!