Pas dy muajsh mësimi on line, sot u hapën kopshtet, shkollat e arsimit fillor dhe special i të gjitha niveleve.

Natyrisht, kthimi i fëmijëve në bankat shkollore shoqërohet me masa për parandalimin dhe mbrojtjen nga koronavirusi. Midis tyre, përdorimi i detyrueshëm i maskave në ambientet brenda dhe jashtë shkollës, pastrimi dhe ajrosja e klasave si dhe përdorimi i antiseptikëve.

Ministrja e Arsimit Niki Kerameos gjatë vizitës së saj në mëngjes në shkollat fillore në Metamorfosi dhe Nea Halkidona tha se, «Gëzimi i fëmijëve është i madh por gjithashtu edhe gëzimi ynë». Gjithashtu ajo falënderoi mësuesit, prindërit dhe nxënësit për përpjekjen e madhe në mësimin-online dhe theksoi se qeveria jep prioritet në zhvillimin e procesit arsimor.