Filmi «Green Book» (Libri i gjelbër), një histori e vërtetë anti-raciste e regjisorit 62-vjeçar amerikan Peter Farrelly fitoi çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë të vitit nga Akademia Amerikane e Filmit, në ceremoninë e 91-të të Çmimeve Oscar, që u zhvillua më 24 Shkurt në Los Angeles.

Ashtu si çdo vit edhe në evenimentin e këtij viti ishin të pranishëm emra të njohur të artit, kinematografisë dhe muzikës, të cilët dhanë çmimet.

Çmimin Oscar si regjisori më i mirë e fitoi Alfonso Cuaron për filmin «Roma», duke konfirmuar parashikimet se ishte favorit. Ishte një nga tre çmimet që fitoi filmi i autorit meksikan, i cili gjithashtu fitoi çmimin Oscar për Fotografinë dhe për Filmin në Gjuhën e Huaj, të cilin për herë të parë në -historinë e çmimeve Oskcar- e fiton Meksika. Alfonso Cuaron, është i njohur edhe si skenarist, producent, kinematografist dhe editor.

Aktorja Olivia Colman fitoi çmimin Oskar në edicionin e 91-të të Academy Awards, në kategorinë për aktoren më të mirë, për portretizimin e Mbretëreshës Anne në filmin «The Favourite» të regjisorit Giorgo Lánthimo, skenari nga Deborah Davis dhe Tony McNamara.

Filmi është një dramë politike e rrëfyer nga këndvështrimi i tre grave dhe një bashkëprodhim i producentëve nga Irlanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa krahas Colman interpretojnë edhe Emma Stone, Rachel Weisz, Nicholas Hoult dhe Joe Alwyn.

«Gorgo, je regjizori më i mirë me filmin më të mirë. Emma (Stone) dhe Rachel (Weisz), çdo ditë më bëtë të lumtur», tha e mallëngjyer Olivia Colman, e cila falenderoi agjentin e saj, familjen e saj, fëmijët e saj që po ndiqnin ceremoninë nga shtëpia dhe bashkëshortin e saj, shokun e saj më të mirë për 20 vjet, siç tha ajo.

Aktorja britanike 45-vjeçare ka fituar gjithashtu edhe Çmimin e parë Golden Globe, në kategorinë për aktoren më të mirë femër në Venecia, çmimin BAFTA dhe mbi 30 çmime të tjera të kritikëve amerikanë.